Semiotika e këngëve të Luigj Alisë nga Qamil Gjyrezi
Në traditën muzikore të Shkodrës, familja Alija lidhet me një mjedis të fortë kulturor dhe artistik, ku muzika qytetare ka qenë një element identitar i rëndësishëm. Në këtë kontekst mund të bëhet edhe një interpretim semiotik i këngës dhe interpretimit të tij.
Në planin semiotik, këngët e Luigj Alijës mund të interpretohen si një shenjë e traditës urbane shkodrane. Në këtë traditë, zëri i këngëtarit nuk është vetëm instrument muzikor, por edhe simbol i identitetit qytetar. Kënga qytetare e Shkodrës zakonisht mbart kode emocionale si nostalgjia, dashuria e përmbajtur dhe eleganca e komunikimit artistik.
Zëri funksionon si shenjë e ndjeshmërisë urbane. Teksti poetik përçon kodet e kulturës qytetare (dashuri, kujtim, melankoli). Melodia krijon një simbolikë të kujtesës kolektive të qytetit.
Në këtë kuptim, interpretimi i tij lidhet me modelin e këngës qytetare shkodrane që përfaqësohet nga figura si Bik Ndoja, ku kënga shndërrohet në një narrativë emocionale të jetës qytetare dhe të kulturës së Shkodrës.
Në planin semiotik, figura e Luigj Alijës mund të shihet si: një shenjtues i traditës familjare muzikore, një mbartës i kodit estetik të këngës qytetare shkodrane, dhe një zë që vazhdon simbolikën kulturore të qytetit të Shkodrës.
Luigj Alija, këngëtar nga Shkodra dhe vëllai i artistes së njohur Justina Alija, mund të shihet në planin semiotik si një interpretues që përfaqëson kodet kulturore të këngës qytetare shkodrane. Në këtë traditë, zëri i këngëtarit funksionon si shenjë e identitetit urban, ndërsa interpretimi bart elemente nostalgjie, dashurie dhe elegance shpirtërore që karakterizojnë kulturën muzikore të Shkodrës.
Në këngët e tij, melodia dhe fjala poetike krijojnë një sistem shenjash që lidhen me kujtesën kolektive të qytetit. Kënga nuk është vetëm një akt muzikor, por edhe simbol i trashëgimisë kulturore familjare dhe qytetare, ku përmes zërit transmetohet një ndjenjë tradite dhe përkatësie artistike.
Intervista
1. Bixhi, ku keni filluar të këndoni për herë të parë?
Në vitin 1974 kam filluar të këndoj në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës me motrën time Justinën. Aty takuam kompozitorin e ndjerë Gjon Kapedani. Justina i tha profesor Gjonit se vëllai i saj kishte dëshirë të këndonte në korin e Shtëpisë së Kulturës. U ulëm te pianoja dhe, pasi më provoi me disa nota muzikore, profesori u bind se kisha zë dhe intonacion për të kënduar në kor.
2. Cili ka qenë mësuesi juaj i parë që ju mësoi të këndoni?
Mësuesi im i parë ka qenë kompozitori dhe violinisti Tonin Daija në Shtëpinë e Pionierit të Shkodrës.
3. Çfarë është për ju këndimi dhe çfarë këngësh ju pëlqen të këndoni?
Këndimi për mua është kënaqësi, qetësi dhe motivim shpirtëror e kulturor. Më kanë pëlqyer këngët popullore shkodrane dhe këngët italiane, të cilat i ndiqnim përmes RAI-t dhe këngëtarëve të kohës sime.
4. Çfarë mund të thoni për grupin “Karajfilat që ka Shkodra”?
Ka qenë një kënaqësi e veçantë pjesëmarrja në këtë grup muzikor koral. Kemi kënduar në aktivitete të ndryshme në Shkodër, në radio, televizion dhe në Estradën e Teatrit “Migjeni”.
5. Ju keni kënduar në Korin e Shtëpisë së Kulturës. Çfarë kujtimesh keni nga ai formacion?
E kemi kaluar shumë bukur me të gjithë koristët. Para viteve ’90 ka sunduar ideologjia e kohës, por gjithsesi kemi kënduar edhe këngë popullore dhe kantata me karakter qytetar e patriotik. Muzika mbijeton mbi ideologjitë dhe diktaturat.
6. A keni marrë pjesë në festivalet e Radio Televizionit Shqiptar?
Po, kam marrë pjesë në një festival të Radios deri në provën gjenerale. Por u largova ditën e shfaqjes. Regjisor ishte Mevlan Shanaj. Në juri kishte edhe disa shkodranë, por nuk dua t’i përmend. Drejtoresha Lirije Celi më tha se nuk do të këndoja, me një argument absurd. U zhgënjeva shumë, por kështu ishte koha. Kënga ishte kompozuar nga Aleksandër Lalo dhe këndohej edhe nga Suzana Qatipi.
7. A keni kënduar me motrën tuaj, artisten e njohur Justina Alija?
Po, kemi kënduar një duet të kompozitorit Xhavit Ujkani me titull “Motrës sime”. Ishte një kënaqësi e veçantë.
8. Çfarë mendoni për Ahengun e Shkodrës dhe këngën qytetare shkodrane?
Këngët e qytetit të Shkodrës janë një mrekulli dhe një pasuri shpirtërore e qytetit tonë. I kam kënduar me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi në ambiente familjare, në dasma, në gëzime familjare dhe në skenë.
9. A mendoni se studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” duhet ta njohin dhe këndojnë ahengun shkodran?
Studentët dhe brezi i ri duhet ta dëgjojnë ahengun dhe këngën qytetare shkodrane dhe pse jo ta këndojnë atë në gëzime familjare apo në ambiente publike. Tekstet e këtyre këngëve kanë shumë kuptim dhe transmetojnë dashurinë për Shkodrën dhe për njerëzit.
10. Ju keni marrë pjesë edhe në dasma e ambiente familjare me instrumentistë shkodranë. Çfarë kujtimesh keni?
Po, patjetër. Ka qenë një kënaqësi e veçantë. Tromba është një instrument shumë i njohur në Shkodër dhe ka një tingull të veçantë që krijon atmosferë shumë pozitive.
11. A ju kujtohet kur keni kënduar në pedonalen e Shkodrës para disa vitesh?
Ishte një përvojë e mrekullueshme. Kalimtarët na përshëndesnin dhe na vlerësonin. Në atë aktivitet morën pjesë edhe Lekë Plani dhe Dritan Mlika.
12. Në aktivitetin që do të zhvilloni në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, çfarë kënge do të këndoni?
Do të këndoj këngën e kompozitorit Leonard Deda “Kur gjethet binë në vjeshtë”, në tonalitetin re minor. Është një serenatë shumë e bukur në stilin tango-bolero.
Intervistoi: Qamil Gjyrezi
