Vllaznia është mundur minimalisht 1-0 nga Flamurtari në transfertën e Vlorës, duke përsëritur të njëjtin rezultat si në fazën e parë të kampionatit. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 35-të nga Bolzan, duke i dhënë fitoren skuadrës vendase.

Sfida u vështirësua edhe më shumë për kuqeblutë vetëm dy minuta më pas, kur Charles Bismark u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 37-të pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Trashit, duke lënë ekipin e drejtuar nga Edi Martini me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes.

Pavarësisht humbjes, Vllaznia vazhdon të mbajë vendin e parë në renditje, ndonëse diferenca është ngushtuar. Pas fitores së Elbasanit ndaj Tiranës, kuqeblutë tashmë kryesojnë me vetëm dy pikë avantazh.

Ndërkohë, skuadra shkodrane vazhdon të përballet edhe me vështirësitë e krijuara nga bllokimi i merkatos nga FIFA. Në javën e 28-të të kampionatit, Vllazninë e pret një tjetër transfertë e vështirë, këtë herë ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias në Rrogozhinë.