Thirrja e Bashkisë Shkodër për pastrimin e vijës bregdetare në Velipojë ka gjetur mbështetjen e bizneseve lokale. Këtë të diel, një pjesë e tyre janë angazhuar vullnetarisht në pastrimin e zonës ranore, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri turistik.

Aksioni vjen në një moment kur ditët me diell dhe temperaturat pranverore kanë sjellë edhe vizitorët e parë në Velipojë. Kryesisht pushues vendas kanë zgjedhur të kalojnë disa orë pranë detit, duke e frekuentuar këtë destinacion edhe në muajt e parë të pranverës.

Administratori i Njësisë Administrative Velipojë, Sandër Viluni, u shpreh se kjo nismë është pjesë e përgatitjeve të hershme për sezonin turistik, me synimin që plazhi të jetë sa më i pastër dhe i gatshëm për të mirëpritur vizitorët.

Plazhi i Velipojës vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të bregdetit verior, vetëm 35 kilometra larg qytetit të Shkodrës. Paralelisht me aksionet e pastrimit, Bashkia Shkodër ka nisur edhe zbatimin e një plani masash për përgatitjen e sezonit veror, me qëllim që Velipoja të jetë gati për të pritur pushuesit në kushte sa më të mira.