Shkodra ka nisur ditët e artit rinor me zhvillimin e edicionit të tetë të festivalit “Teatri i të Rinjve”, një ngjarje që tashmë është kthyer në traditë në jetën kulturore të qytetit. Nga 2 deri më 9 mars, të gjitha shfaqjet do të ngjiten në skenën e Teatrit “Migjeni”, duke e kthyer këtë institucion në shtëpinë e kreativitetit dhe pasionit të gjimnazistëve.

Në këtë edicion marrin pjesë disa prej shkollave të mesme të qytetit, të cilat sjellin vepra të njohura të dramaturgjisë botërore dhe shqiptare, por edhe krijime të frymëzuara nga autorë të mëdhenj.

Festivali u çel më 2 mars me shfaqjen “Tragjedist Pahiri” të Anton Çehovit, nga nxënësit e shkollës “Maarif”. Më 3 mars, gjimnazi “Shejnaze Juka” prezanton “Zoti Masakrës”, ndërsa më 4 mars vjen “Limona nga të Siçilisë” nga shkolla “Oso Kuka”.

Më 5 mars, gjimnazi jopublik “Maria” sjell dramën “Ajo iku”, bazuar në romanin “Me syrin e një klouni” të Heinrich Böll. Një ditë më pas, më 6 mars, gjimnazi “Prenkë Jakova” ngjit në skenë komedinë “Të gjithë me huqe”.

Më 7 mars, shkolla “28 Nëntori” prezanton shfaqjen “Qeshu riní!”, e frymëzuar nga Migjeni. Ndërsa më 8 mars, shkolla “At Gjon Karma” vjen me “Martesa e shumëpritur”. Festivali përmbyllet më 9 mars me shfaqjen “Darka e fundit” nga shkolla “Jordan Misja”.

Përgjatë një jave, publiku shkodran do të ketë mundësinë të ndjekë interpretime që ndërthurin emocionin, reflektimin dhe humorin, duke treguar seriozitetin dhe përgatitjen e të rinjve në artin skenik. Regjisorë dhe aktorë të njohur të Teatrit “Migjeni” kanë mbështetur këtë rrugëtim artistik, duke i udhëhequr nxënësit drejt një eksperience të plotë teatrore.

“Teatri i të Rinjve” mbetet një platformë e rëndësishme për zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja, por edhe një dëshmi se Shkodra vijon të ruajë dhe forcojë traditën e saj të pasur teatrore.