“Dita e Miqve të Seminarit” u përmbyll me dramatizimin “Martirët Shqiptarë”, vënë në skenë nga seminaristët në sallën “Mikel Koliqi”. Përmes interpretimit artistik, të rinjtë sollën para publikut një rrëfim për qëndresën, besimin dhe sakrificën në një kohë kur edhe një letër në xhep mund t’i kushtonte jetën.
Rektori i Seminarit Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë”, Dom Mark Shtjefni, e cilësoi vënien në skenë të dramës si një akt kujtese dhe përgjegjësie për brezat e rinj.
Më tej, ai theksoi se martirët përbëjnë themelin e Kishës Katolike Shqiptare, duke nënvizuar se sakrifica e tyre mbetet frymëzim për rrugëtimin shpirtëror dhe misionin e sotëm të Kishës.
Dramatizimi “Martirët Shqiptarë” shërbeu si një reflektim mbi periudhën e persekutimit të Kishës Katolike në Shqipëri, duke nderuar figurat e martirëve që mbetën të palëkundur në besimin e tyre.
