Nga Qamil Gjyrezi

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura luajti mbrëmjen e 28 shkurtit në Shkodër, në Teatrin “Migjeni”, dy vepra shumë të njohura të repertorit klasik: Haydn – Simfonia Concertante dhe Schumann – Simfonia Nr. 2. Të dyja këto vepra madhore kërkojnë nivel të lartë teknik dhe muzikor nga instrumentistët dhe dirigjentët. Simfonia përfaqëson një nga format më të larta të muzikës klasike. Ajo është një kompozim i zgjeruar për orkestër në traditën e muzikës klasike perëndimore dhe kërkon formim të konsoliduar profesional.

Koncerti i mbrëmshëm ishte një ngjarje e rëndësishme muzikore, pasi në Shkodër prej vitesh nuk është interpretuar një repertor i tillë simfonik. Aftësia dhe fuqia artistike e Orkestrës Simfonike të FA-së qëndron edhe te fakti se përbëhet nga instrumentistë të rinj, të përzgjedhur përmes një konkursi nga një juri me 9 personalitete të muzikës shqiptare. Ata realizojnë prova, koncerte dhe audicione periodike gjatë vitit. Një rol të rëndësishëm në krijimin e këtij formacioni ka pasur edhe violonçelisti i njohur Arben Skënderi.

Në titull theksova “tinguj të rinj”, pikërisht për shkak të moshës, talentit, organizimit dhe formimit profesional të këtyre instrumentistëve, të cilët interpretojnë me pasion dhe energji muzikën klasike.

Në pjesën e parë, orkestra interpretoi nga Joseph Haydn Simfoninë Concertante, me solistë katër spalat e O.S.F.A-së: violinë – Xhudi Dodaj, violonçel – Remino Sula, oboe – Gëzim Toskaj dhe fagot – Erald Ibraliu, nën dirigjimin e Harlen Nikollit, në një interpretim të angazhuar dhe me nivel të lartë instrumental e artistik. Violinistja Dodaj interpretoi me siguri teknike dhe ndjeshmëri muzikore, me stil të pastër klasik. Remino Sula në violonçel luajti me tingull të pastër dhe emocion të thellë. Oboisti Toskaj dhe fagotisti Ibraliu u dalluan për tingull brilant dhe teknikë të qëndrueshme. Simfonia Concertante u drejtua me profesionalizëm nga dirigjenti Harlen Nikolli.

Simfonia Concertante në Si♭ maxhor nga Joseph Haydn u kompozua në Londër midis shkurtit dhe marsit 1792. Besohet se ishte një përgjigje ndaj veprave të ngjashme të kompozuara nga Ignaz Pleyel, ish-student i Haydn-it, të cilin gazetat londineze e promovonin si “rival” të tij.

Në pjesën e dytë të koncertit, orkestra interpretoi Simfoninë Nr. 2 në Do maxhor, Op. 61, nga Robert Schumann, nën dirigjimin e Laert Qazimit. Simfonia u botua në vitin 1847 dhe i kushtohet Oscar I-rë, mbretit të Suedisë dhe Norvegjisë. Schumann filloi ta skiconte veprën më 12 dhjetor 1845 dhe përfundoi draftin e plotë më 28 dhjetor, por depresioni dhe problemet shëndetësore, përfshirë zhurmën në veshë, e penguan ta finalizonte deri më 19 tetor 1846.

Simfonia përbëhet nga katër kohë:

I. Sostenuto assai – Allegro, ma non troppo

II. Scherzo: Allegro vivace

III. Adagio espressivo

IV. Allegro molto vivace

Orkestra e interpretoi veprën me nivel të lartë artistik dhe kulturor. Koha e parë nis me një korale të ngadaltë të instrumenteve të tunxhit, elementët e së cilës rikthehen gjatë zhvillimit të saj. Koha e dytë është një scherzo energjike në Do maxhor me dy trio, ku theksohet fuqishëm akordi i zvogëluar. Koha e tretë, me karakter elegjiak në Do minor, përmban një teksturë të fortë kontrapunktike. Finalja, në formë sonate të trajtuar lirshëm, lidhet tematikisht me Adagio-n. E gjithë simfonia u drejtua dhe u interpretua me profesionalizëm nga dirigjenti Laert Qazimi dhe instrumentistët e orkestrës.

Koncerti i mbrëmshëm spikati për përzgjedhjen cilësore të repertorit dhe nivelin e lartë interpretativ. Publiku, jo vetëm në Shkodër por në mbarë Shqipërinë, ka nevojë për koncerte të tilla, veçanërisht të rinjtë. Dominimi estetik i muzikës urbane ka ndikuar në shijet e publikut, ndërsa koncertet simfonike përbëjnë një domosdoshmëri edukative dhe kulturore. Në shumë vende të BE-së, koncerte të tilla ndiqen me interes të madh dhe biletat kushtojnë deri në 50 euro. Ndërsa në Teatrin “Migjeni” koncerti ishte falas dhe në një sallë komode me ngrohje.

Institucionet kulturore, universiteti, shkollat e mesme, veçanërisht shkolla artistike “Prenk Jakova”, duhet të punojnë më shumë me të rinjtë për edukimin e muzikës klasike, krahas zhanreve moderne, pasi ajo ka ndikim të thellë psikologjik dhe qytetar.

Johann Wolfgang von Goethe e përshkruante muzikën klasike si “arkitekturë e lëngshme” dhe si një art që “lan nga shpirti pluhurin e jetës së përditshme”, një gjuhë universale që lidh zemrën dhe mendjen.