Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare Adnan Muka, i njohur në Shkodër si “Mjeshtri i Luleve”, një figurë e veçantë që për vite me radhë kontribuoi vullnetarisht në zbukurimin dhe gjelbërimin e hapësirave publike të qytetit.

Lulishtja qendrore pranë shatërvanit, ambientet përreth bibliotekës së qytetit, oborret e disa shkollave, si dhe lulishtja para Teatrit “Migjeni”, janë disa nga hapësirat që morën ngjyra falë përkushtimit të tij. Lulet që ai dhuronte i kultivonte fillimisht në oborrin e banesës së tij, ku rriteshin qindra lloje bimësh, me trëndafilin që mbizotëronte si simbol i dashurisë për qytetin.

Megjithëse i diplomuar si ekonomist, pasioni i tij për agrikulturën e çoi drejt studimeve dhe eksperimentimeve të suksesshme në kultivimin e krimbit të mëndafshit gjatë viteve ’80, duke dhënë një kontribut të çmuar në këtë sektor. Në vitet e fundit, ai iu përkushtua edhe dokumentimit të historisë familjare, duke përgatitur monografinë e babait të tij, “Mësuesit të Popullit” Sheuqet Muka, një nga themeluesit e gjimnazit të Shkodrës dhe të shoqërisë “Vllaznia”.

Edhe në moshë të thyer, Adnan Muka vijoi të kontribuojë me vullnet e dashuri për lulëzimin e qytetit dhe ruajtjen e kujtesës historike. Me largimin e tij, Shkodra humbet një qytetar model, një njeri të heshtur që la gjurmë përmes veprave dhe përkushtimit.