Shkodra është bërë bashkia e parë në Shqipëri që pajiset me një sistem inteligjent për zbulimin e zjarreve dhe monitorimin e pyjeve përmes dronëve.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se kjo teknologji e avancuar do të mundësojë identifikimin në kohë reale të çdo ndryshimi në pyje, nga vatrat e zjarrit deri te dëmtimet e shkaktuara nga sëmundjet.
Sistemi funksionon përmes imazheve ajrore dhe të dhënave termike, duke dhënë sinjale të menjëhershme për çdo rrezik.
Sipas kryeministrit, kjo rrit ndjeshëm sigurinë dhe përmirëson reagimin ndaj emergjencave, duke mbrojtur jetën e qytetarëve, pasuritë dhe mjedisin.
“Shkodra po pajiset me sistemin inteligjent të zbulimit të zjarreve dhe monitorimit me dron. Tashmë çdo ndryshim në pyje, nga vatrat e zjarrit te dëmtimet nga sëmundjet, identifikohet në kohë reale përmes imazheve ajrore dhe të dhënave termike.”
Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Programit IPA Montenegro–Albania, dhe synon të sjellë një menaxhim më efikas të situatave emergjente. Përmes këtij sistemi, çdo vatër zjarri në pyjet e Shkodrës mund të zbulohet menjëherë, duke lejuar ndërhyrje të shpejta dhe të koordinuara.
Ky projekt synon të ulë rrezikun e zjarreve, të forcojë masat parandaluese dhe të rrisë nivelin e mbrojtjes së pasurive natyrore, duke e kthyer teknologjinë në një aleat kyç për ruajtjen e mjedisit.
