Fundmuaji i shkurtit ka sjellë ditë të kthjellëta dhe temperatura të buta në Shkodër. Nën rrezet e diellit, Kalaja e Rozafës ofron një panoramë të veçantë që ndërthur peizazhin me historinë.
Në këtë periudhë jashtë sezonit turistik, kalaja paraqitet më e qetë krahasuar me muajt e verës. Një çift turistësh nga Skocia zgjodhën ta vizitojnë për herë të parë kalanë, duke u shprehur të impresionuar në përshtypjet e tyre.
“Vijmë nga Skocia. Hera e parë që vijmë në Shqipëri. Pasi vizituam Sarandën, jemi në këtë vend të mrekullueshëm këtu në Shkodër. Po admiroj hapësirën e bollshme që ofron kalaja “Rozafa”,” shprehet njëri nga vizitorët skocez.
“Historia e pushtimit otoman më joshi për ta vizituar nga afër fortesën e qytetit. Ne po planifikojmë disa shëtitje nëpër vende të ndryshme dhe mendoj se mund të rikthehemi sërish këtu. Kemi njohur njerëz shumë miqësorë në Shqipëri,” thekson vizitorja tjetër.
Të tjerë presin ta vizitojnë këtë park arkeologjik. Edhe në ditët më të qeta të vitit, Kalaja e Rozafës mbetet një pikë referimi për identitetin e Shkodrës. Në dy muajt e parë të vitit, sipas DRTK Shkodër, kalaja Rozafa numëron rreth 7600 vizitorë.
