Klasikja e futbollit shqiptar prodhoi spektakël, gola dhe emocione të forta, me Vllazninë që triumfoi 3-1 ndaj Tiranës në javën e 26-të të Abissnet Superiore.

Në një stadium të tejmbushur dhe me një atmosferë elektrizuese, kuqeblutë reaguan me karakter pas disavantazhit fillestar dhe morën tre pikë me peshë të artë në garën për titull. Tirana kaloi e para në avantazh me Xhixhën, duke surprizuar vendasit në minutat e para, por përgjigjja e Vllaznisë ishte e menjëhershme. Bismark riktheu baraspeshën, duke ndezur entuziazmin e tifozëve shkodranë dhe duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 1-1, mes polemikave për një 11-metërsh të pretenduar nga vendasit.

Në fraksionin e dytë, skuadra e drejtuar nga Edi Martini hyri me tjetër ritëm dhe vendosmëri. Një autogol i Kortez i dha avantazhin Vllaznisë, ndërsa dominimi në lojë u konkretizua përfundimisht në minutën e 70-të, kur Bekim Balaj u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur shifrat 3-1.

Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 51 pikëve dhe forcon pozitat në krye të renditjes, duke dërguar një mesazh të qartë në garën për titull. Në krahun tjetër, Tirana thellon krizën, mbetet në 21 pikë dhe sheh gjithnjë e më pranë rrezikun e rënies nga kategoria, ndërsa debutimi i Orges Shehit në pankinën bardheblu mbyllet me një humbje të hidhur.

Reagimet pas ndeshjes

Pas përfundimit të sfidës, trajneri Edi Martini u shfaq i çliruar në deklaratën e tij për mediat, duke theksuar rëndësinë e reagimit të skuadrës pas disavantazhit dhe karakterin që treguan lojtarët në fushë.

Tekniku kuqeblu veçoi në mënyrë të posaçme Bekim Balajn, duke zbuluar se sulmuesi kishte kaluar një gjendje gripale gjatë javës, por zgjodhi të ishte në fushë dhe të jepte maksimumin për ekipin. Sipas Martinit, sakrifica dhe profesionalizmi i kapitenit janë shembull për grupin në këtë fazë vendimtare të sezonit.

Bismark ishte një nga protagonistët absolutë të mbrëmjes në “Loro Boriçi”, duke u shpallur në fund si “Lojtari i Ndeshjes” pas paraqitjes vendimtare dhe golit që riktheu baraspeshën në momentin më delikat për Vllazninë.

Sulmuesi kuqeblu nuk e fshehu emocionin pas sfidës, duke theksuar rëndësinë personale të realizimit.

Në prononcimin pas ndeshjes, trajneri i ri i Tiranës, Orges Shehi, pranoi se momenti që po kalon skuadra në kampionat është i vështirë, sidomos duke parë pozicionin aktual në tabelën e renditjes.

Megjithatë, ai u shpreh besimplotë se bardheblutë kanë forcën dhe cilësinë për ta përballuar këtë situatë, duke theksuar se grupi duhet të reagojë me qetësi dhe punë për të dalë nga kriza. Sipas Shehit, kampionati ende ofron mundësi dhe Tirana do të luftojë deri në fund për të shmangur rrezikun.