Investimi i realizuar në rrugën “Don Bosko” në Shkodër është pritur me reagime pozitive nga qytetarët, të cilët e konsiderojnë ndërhyrjen si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës urbane.
Banorët theksojnë se korsia e dedikuar për biçikletat i shton vlerë projektit, duke ngritur standardin e qarkullimit dhe duke krijuar një organizim më të qartë mes këmbësorëve, drejtuesve të mjeteve dhe çiklistëve. Sipas tyre, ndërhyrja ka sjellë më shumë rregull, siguri dhe lehtësi në lëvizje, duke e bërë këtë segment më funksional për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Në lidhje me përfundimin e punimeve dhe komentet e hasura në rrjetet sociale për nivelimin e pusetave me asfaltin, Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe Punëve Publike, Altin Salihi, sqaroi se procesi i ndjekur është një procedurë standarde që aplikohet në çdo riveshje rruge në Shkodër.
Rruga “Don Bosko” tashmë është transformuar plotësisht, jo vetëm përmes shtresës së re të asfaltit, por edhe falë rikonstruksionit të trotuareve dhe ndriçimit të plotë. Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën rrugore të qytetit, me synimin për të përmirësuar cilësinë e jetës për komunitetin.
