Kombëtarja shqiptare e basketbollit për meshkuj është grumbulluar në Shkodër në kuadër të ndeshjeve të raundit parakualifikues për EuroBasket 2029. Federata Shqiptare e Basketbollit ka zgjedhur qytetin verior për shkak se sfida e radhës ndaj Sllovakisë do të zhvillohet në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi”.
Risia më e fundit në kampin kuqezi është emërimi i trajnerit spanjoll Ricardo Gonzales Davila në krye të ekipit. Miqësoren ndaj Deçiqit, të zhvilluar në “Qazim Dervishi”, trajneri e konsideroi si një test të vlefshëm përpara ndeshjes zyrtare.
“Kjo ndeshje ishte një test i vlefshëm për përgatitjet që po zhvillojmë në prag të asaj zyrtare ndaj Sllovakisë. Duhet të përmirësohemi në mbrojtje dhe sulm. E mirëprita pozitivisht ftesën e Federatës. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, veçoj 22-vjeçarin Tula. Nuk mund të bëjmë ndryshime të mëdha në pak ditë, por e ardhmja është premtuese,” thekson trajneri spanjoll.
Të hënën e 2 marsit, “Qazim Dervishi” pritet të jetë arena ku Kombëtarja do të kërkojë fitoren në këtë fushatë kualifikuese.
