Administrata Tatimore publikoi udhëzime të detajuara për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2025, duke sqaruar se kush ka detyrimin ligjor për ta dorëzuar dhe kur dorëzimi është jo i detyrueshëm.

Sipas DPT-së, individët që marrin vetëm pension nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk kanë detyrim për të dorëzuar deklaratën, pavarësisht shumës së përfituar.

Ndërkohë, individët me të ardhura nga punësimi nën 1.200.000 lekë në vit, edhe pse nuk kanë detyrim ligjor, mund ta dorëzojnë deklaratën vullnetarisht për të përfituar zbritjet ligjore. Këto përfshijnë kompensimin për fëmijët nën 18 vjeç, 48.000 lekë për fëmijë, dhe mundësinë e zbritjes së shpenzimeve për arsim deri në 100.000 lekë në vit për individët me të ardhura nën këtë prag. Përfitimet shkojnë tek anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore.

Administrata Tatimore thekson se të ardhurat nga qiraja, shërbimet e konsulencës dhe burime të tjera jashtë pagës duhet të deklarohen, edhe kur tatimi është mbajtur në burim. Për të ardhurat nga qiraja aplikohet tatimi 15% mbi shumën e përfituar. Po ashtu, të ardhurat e realizuara jashtë Shqipërisë duhet të pasqyrohen në deklaratë.

Individët e dypunësuar apo ata që kanë punuar për më shumë se një punëdhënës mund të kenë detyrim pagesë shtesë për shkak të aplikimit të normave progresive të tatimit mbi të ardhurat: 13% dhe 23% për pagat mbi 200.000 lekë/muaj.

Për tatimpaguesit me gjendje kreditore ose tatim të mbipaguar, rimbursimi mund të bëhet përmes sistemit elektronik e-filing. Individët regjistrojnë llogarinë bankare dhe ndjekin procedurat online. Në rast dëshire, shuma e mbipaguar mund të bartet si tepricë kreditore për vitin pasardhës.

Administrata Tatimore saktëson se personat e papunë ose ata që nuk kanë paguar tatim mbi të ardhurat nuk përfitojnë rimbursim për fëmijët nën 18 vjeç. Për shuma detyrimi ose kredi deri në 1.000 lekë, legjislacioni i konsideron ato me vlerë zero dhe nuk kryhet vlerësim tatimor.

Autoritetet apelojnë që individët të verifikojnë me kujdes të dhënat e tyre, veçanërisht kur tatimi i mbajtur në burim nuk pasqyrohet automatikisht, dhe të kërkojnë korrigjimin e deklarimeve nga agjentët tatimorë përkatës./ATSH/