24 orë para klasikes së futbollit shqiptar Vllaznia–Tirana, në kampin kuqeblu mbizotëron optimizmi për marrjen e tre pikëve. Skuadra shkodrane ka lënë pas humbjen në Ballsh dhe është përqendruar plotësisht te sfida e së premtes në “Loro Boriçi”.
Mesfushori Lirim Kastrati thekson se ekipi e ka analizuar disfatën ndaj Bylisit dhe tashmë është gati për përballjen me bardheblutë. Sipas tij, grupi është i bashkuar dhe i motivuar për të reaguar para tifozëve shkodranë.
Nga ana tjetër, Klinti Qato shprehet se ky sezon është një mundësi e artë për të rikthyer titullin kampion në Shkodër pas 25 vitesh. Ai nënvizon se skuadra është e vendosur të luftojë deri në fund për objektivin madhor të sezonit.
Klasikja Vllaznia–Tirana luhet të premten në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa java e 26-të e “Abissnet Superiore” sjell edhe përballjet: Vora–Dinamo City, Elbasani–Bylis, Partizani–Egnatia dhe Teuta–Flamurtari.
