Hekurudha Gjakovë–Shkodër, pjesë e projektit strategjik Prishtinë–Durrës, do të jetë prioritet i këtij mandati. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit në Prishtinë me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Lidhur me këtë zhvillim reagoi edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i cili e cilësoi atë si një lajm me rëndësi strategjike për qytetin dhe gjithë rajonin.
“Ky është një zhvillim që prek drejtpërdrejt Shkodrën, duke e pozicionuar si nyje kyçe në një korridor të ri ekonomik dhe turistik mes Kosovës dhe Shqipërisë,” thekson Beci.
Sipas tij, Shkodra ka qenë historikisht një urë lidhëse mes trojeve shqiptare, ndërsa tashmë kjo lidhje merr një dimension hekurudhor më konkret dhe funksional. Projekti pritet të rrisë qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen e qytetarëve, duke forcuar rolin e qytetit në zhvillimin rajonal.
Nëse realizohet, linja Gjakovë–Shkodër do ta rikthejë qytetin në hartën strategjike të infrastrukturës ndërkufitare dhe do të krijojë mundësi të reja për ekonomi, turizëm dhe investime.
