Shkodra ka potencial real për të zhvilluar turizmin e errët, një formë që lidhet me njohjen e vendeve dhe historive të periudhave më të vështira të së shkuarës. Në qendër të këtij dimensioni qëndron “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, ish-burgu i diktaturës, sot muze dhe hapësirë reflektimi për brezat.
Përgjegjësi Pjerin Mirdita thekson se njohja me të kaluarën diktatoriale duhet të nisë nga vetë të rinjtë e qytetit. Sipas tij, organizimi i tureve edukative është një mënyrë konkrete për t’i afruar ata me historinë reale të persekutimeve, vuajtjeve dhe qëndresës njerëzore gjatë regjimit komunist.
Kjo e kaluar sipas Mirditës nuk duhet të mbetet thjesht në libra apo rrëfime sporadike, por të përjetohet përmes vizitave të drejtpërdrejta në hapësira autentike. Ai shton se po aq e rëndësishme është që edhe vizitorët vendas e të huaj të njihen me këtë dimension të historisë së Shkodrës, duke e parë qytetin jo vetëm si destinacion kulturor e turistik, por edhe si një vend me memorie të fortë historike.
