Policia e Shkodrës ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit “Vllaznia–Tirana”, e cila do të zhvillohet më 27 shkurt 2026, në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.
Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 06:00 e datës 27 shkurt dhe deri në përfundim të takimit, do të ndalohet parkimi dhe qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve në perimetrin e stadiumit. Po ashtu, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve në zonën përreth, me përjashtim të mjeteve të emergjencës dhe atyre të shërbimeve të tjera të domosdoshme.
Strukturat e Policisë bëjnë me dije se, në varësi të situatës, mund të aplikohet devijimi i qarkullimit në rrugë alternative, nëse do të jetë e nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv.
Gjithashtu, autoritetet paralajmërojnë se çdo mjet i parkuar brenda perimetrit të sigurisë do të përballet me sanksionet e parashikuara nga ligji, përfshirë edhe spostimin me mjete ngritëse.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe zhvillimit normal të kësaj përballjeje të rëndësishme sportive.
