Java e 26-të e “Abissnet Superiore” rikthen një nga sfidat më të mëdha të futbollit shqiptar, klasiken Vllaznia–Tirana. Dy ekipet vijnë në këtë përballje në pozita diametralisht të kundërta në renditje: kuqeblutë kryesojnë kampionatin me 48 pikë, ndërsa bardheblutë renditen në vendin e parafundit me 21 pikë.

Të dyja skuadrat kërkojnë reagim pas humbjeve të javës së kaluar. Vllaznia u mposht 2-1 në transfertë ndaj Bylisit, ndërsa Tirana u ndal 0-1 nga Teuta. Kjo e bën sfidën edhe më të tensionuar, pasi pikët janë jetike për objektivat respektivë.

Qytetarët shkodranë e vlerësojnë peshën historike të kësaj përballjeje, pavarësisht diferencave në tabelë. Ata shprehen me optimizëm për një fitore të Vllaznisë.

Në dy përballjet e para të këtij sezoni, Vllaznia ka marrë një fitore 3-1 në Shkodër, ndërsa sfida në kryeqytet është mbyllur në barazim 2-2. Klasikja e futbollit shqiptar do të luhet të premten në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, në një mbrëmje që pritet të dhurojë emocione dhe rivalitet të fortë sportiv.