Imagjinoni veten brenda një dhome të madhe, gri, me përmasat e një katedraleje. Tani përfytyroni njëqind milion fara luledielli të shpërndara në dysheme. Dhe mendoni se secila prej tyre nuk është prodhuar nga një makinë, por është krijuar dhe pikturuar me dorë nga një person i vërtetë.
Kjo është një nga veprat më të njohura të artistit kinez Ai Weiwei. Për të, ato njëqind milion copa simbolizojnë individin brenda masës ashtu si Kina me 1.3 miliardë banorë, apo njerëzimi me mbi 7 miliardë njerëz. Çdo farë është e vogël, por e veçantë. Çdo njeri ka vlerë.
Ai Weiwei beson se qëllimi i artit është lufta për liri. Në Kinë, ku liria e shprehjes shpesh kufizohet, ai guxoi të kritikojë qeverinë. Si pasojë, blogu i tij u mbyll, ai u përgjua dhe u përndoq por nuk heshti!
Kur një tërmet shkatërroi mijëra jetë fëmijësh për shkak të ndërtesave të ndërtuara dobët, Ai ngriti zërin përmes artit dhe kërkoi llogari. Për këtë u rrah nga policia, u arrestua dhe u mbajt në burg për 81 ditë. Studioja e tij u shemb. Ai u ndalua të largohej nga vendi.
Por edhe në ato kushte, ai vazhdoi të krijojë. Ai ekspozoi skanimet e trurit të tij pas dhunës. Ai filmoi veten duke ngritur një vazo antike 800-vjeçare, duke sfiduar autoritetin dhe frikën.
“Unë flas në emër të atyre që kanë frikë”, ka thënë Ai Weiwei.
Pse?
Sepse, siç tregon instalacioni me farat e lulediellit, ne jemi individë të vegjël në dukje, por njëkohësisht pjesë e diçkaje shumë më të madhe. Kur bashkohemi, kemi forcën të ndryshojmë realitetin.
Historia e Ai Weiwei na kujton se arti nuk është vetëm bukuri por qëndresë. Është guxim. Është zëri i atyre që nuk dëgjohen.
