Medalja e bronztë e Franko Burrajt në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura është një arritje që shkon përtej rezultatit sportiv. Pas këtij suksesi fshihet një realitet sfidues për atletikën shkodrane, e cila prej vitesh stërvitet pa një sallë të mbyllur, duke u përgatitur në mjedis të hapur në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”.
Kryetrajneri i Shoqatës së Atletikës “Vllaznia”, Albert Marashi, thekson se mungesa e një infrastrukture të përshtatshme për stërvitje dimërore ndikon drejtpërdrejt në performancë. Sipas tij, atletët janë të detyruar të përballen me kushte atmosferike të pafavorshme, ndërkohë që rivalët e tyre në Ballkan përgatiten në ambiente moderne dhe të specializuara. Në të njëjtën linjë është edhe trajneri Bruno Rrotani, i cili stërvit atletin Franko Burraj.
Të dy trajnerët shprehen besimplotë se atletika shkodrane do të vijojë të prodhojë rezultate pozitive edhe në të ardhmen, por theksojnë nevojën për investime konkrete në infrastrukturë. Sipas tyre, një sallë e mbyllur do të rriste ndjeshëm nivelin e përgatitjes dhe do t’i jepte mundësi edhe më të mëdha brezit të ri të atletëve për të konkuruar denjësisht në arenën ndërkombëtare.
