Bashkia Shkodër vijon të mbetet në krye të renditjes për transparencën në nivel vendor. Sipas raportit të gjashtë radhazi të Qendrës “Faktoje”, për vitin 2025, Shkodra ka realizuar 100% të indikatorëve të transparencës, duke ruajtur nivelin maksimal për të pestin vit me radhë.
Monitorimi, i kryer në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, analizoi mënyrën si institucionet vendore publikojnë informacion, zhvillojnë konsultime publike dhe garantojnë llogaridhënie. Në këtë aspekt, Bashkia Shkodër rezulton të ketë institucionalizuar standardet e transparencës, përfshirë publikimin e buxhetit, zhvillimin e konsultimeve publike dhe respektimin e rregullave për funksionimin e Këshillit Bashkiak.
Raporti evidenton se 9 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë zhvilluar konsultime publike për hartimin e buxhetit dhe po kaq kanë publikuar buxhetin vjetor, ndërsa Shkodra renditet mes bashkive me performancën më të lartë, së bashku me Lezhën, Korçën, Sarandën dhe Durrësin.
Megjithatë, analiza e premtimeve elektorale paraqet një panoramë më të moderuar. Në Bashkinë Shkodër janë verifikuar 4 premtime, nga të cilat 1 është realizuar plotësisht dhe 3 janë përmbushur pjesërisht.
Në nivel kombëtar, nga 40 premtime të verifikuara, vetëm 12.5% janë realizuar plotësisht, ndërsa 57.5% mbeten të pambajtura, duke treguar një hendek të dukshëm mes angazhimeve elektorale dhe realizimit konkret në terren.
Sipas “Faktoje”, monitorimi është realizuar nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile përmes analizës buxhetore, monitorimit të prokurimeve publike dhe verifikimeve në terren, me synim rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies në pushtetin vendor.
