Java e 25-të e Abissnet Superiore solli emocione dhe polemika, teksa Vllaznia u ndal në transfertën e vështirë ndaj Bylisit, duke humbur me shifrat 2-1 dhe duke ndërprerë serinë prej shtatë fitoresh radhazi.
Pas një pjese të parë të balancuar, Stoilov kaloi vendasit në avantazh në minutën e 48-të. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në minutat shtesë ndodhi gjithçka: kuqeblutë pretenduan për një penallti pas një prekjeje me dorë në zonë nga një lojtar i Bylisit, por gjyqtarja Emanuela Rusta, pas konsultimit me VAR-in, vendosi të mos akordojë 11-metërsh.
Në përpjekje për të shmangur humbjen, Vllaznia u hodh e gjitha në sulm, duke braktisur edhe portën gjatë një goditjeje standarde. Topi i rikuperuar nga vendasit përfundoi te Sanogo, i cili në minutën e 97-të shënoi në portën e boshatisur për 2-0. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini reagoi menjëherë dhe ngushtoi diferencën me golin e Tafilit në minutën e 98-të, por pa mundur të shmangë humbjen.
Pas 25 javësh, Vllaznia mbetet në krye të renditjes me 48 pikë, ndërsa Bylisi ngjitet në kuotën e 23 pikëve, duke u renditur në vendin e tetë. Një ndalesë që hap sërish garën për titull, në një kampionat që po bëhet gjithnjë e më i fortë.
