Një nga zërat e ëmbël të këngës shkodrane, Nimet Leka, e lidh artin me besimin në nisje të muajit të shenjtë të Ramazanit. Për të, muzika dhe feja nuk janë dy botë të ndara, por pjesë e së njëjtës rrugë përkushtimi.

Artisti na tregon se prej vitit 1992 agjëron çdo muaj të Ramazanit, duke e konsideruar këtë periudhë si një moment reflektimi dhe afrimi me Zotin. Edhe pse profesioni i tij e vendos shpesh në mjedise festive, ai shprehet se asnjëherë nuk është tunduar nga atmosfera e tyre gjatë kohës së agjërimit.

Këtë vit Ramazani përkon me temperatura më të ulëta, por Nimet Leka thekson se nuk ka ndier vështirësi as në vitet kur muaji i shenjtë ka rënë në kulmin e verës. Sipas tij, forca e besimit e bën më të lehtë çdo sakrificë. Në këtë periudhë, ai thotë se gjen mirëkuptim dhe përkrahje edhe nga miqtë e kolegët, të cilët respektojnë përkushtimin e tij.

Muaji i Ramazanit për Nimet Lekën mbetet një kohë dedikimi ndaj Zotit, reflektimi shpirtëror dhe harmonie mes artit dhe besimit.