Situata në territorin e Qarkut Shkodër, sipas raportimit të orës 08:30 të datës 19 shkurt 2026, paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Monitorimi vijon nga bashkitë, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse.

Në Bashkinë Shkodër, niveli i ujit në fshatin Obot arrin rreth 40 cm, pa zgjerim të sipërfaqeve të tokave bujqësore të përmbytura. Në gatishmëri qëndrojnë 6 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një mjet me kalueshmëri të lartë për të mbështetur komunitetin në rast nevoje. Ndërkohë, në bashkitë Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave nga DRUK Lezhë, niveli i lumit Drin është 7.70 m, nga 10.00 m që është kuota kritike. Edhe në pikën matëse Ura e Bunës (Pazar), niveli i ujit rezulton 7.70 m, ndërsa kuota kritike është 9.50 m. Nuk raportohen probleme në kanalet e kullimit apo në argjinatura.

Sa i përket akseve rrugore, pas punës gjatë gjithë natës është bërë e mundur zhbllokimi i zonës së bllokuar nga ortekët në segmentin Qafë Thore–Theth. Aktualisht vijon pastrimi, ndërsa ka nisur lëvizja e mjeteve nga Thethi drejt Bogës. Strukturat përkatëse po punojnë për kriposjen dhe zgjerimin e rrugës, ndërsa aksi vijon të monitorohet për shkak të temperaturave të ulëta dhe rrezikut potencial nga ortekët.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër bën të ditur se monitorimi në terren vijon në mënyrë të vazhdueshme.