Për të 11 vit me radhë, “Ditët e Kujtesës” rikthejnë në vëmendje krimet e regjimit monist në vendin tonë. Në kuadër të tyre, një grup studiuesish nga Gjermania vizituan “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër, ku u njohën nga afër me artefaktet e muzeut dhe ambientet e qelive që dëshmojnë torturat dhe persekutimin e periudhës së diktaturës.

Publicisti Christoph Links, me një përvojë të gjatë në trajtimin kritik të së kaluarës diktatoriale në Gjermaninë Lindore, vlerëson rëndësinë e dokumentimit historik.

“Me rënien e diktaturës komuniste, pas viteve ‘90 nisi një proces rrënjësor transformimi i ekonomisë dhe kjo shtoi interesin për të ditur më shumë rreth të shkuarës moniste. Ky Muze në Shkodër bart shumë vlera në këtë aspekt. Mendoj se është shumë e rëndësishme dokumentimi i të kaluarës në mënyrë që edhe brezi i ri të jetë në dijeni për të,” shprehet studiuesi gjerman Christoph Links.

Përgjegjësi i muzeut, Pjerin Mirdita, shprehet se përballja me të kaluarën i bën shoqëritë më të vetëdijshme për të ardhmen.

Biseda e studiuesve u përqendrua te roli i botimit kritik dhe rëndësia e kulturës së kujtesës në ndërtimin e shoqërive demokratike.