Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke theksuar vlerat e respektit, vëllazërisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shkodër.

Në letrën drejtuar Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, si dhe besimtarëve myslimanë, Arqipeshkvi Metropolit Imzot Giovanni Peragine shpreh urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë e të pranuar, paqe në zemër, forcë në përkushtimin fetar dhe shëndet për familjet.

Në mesazh theksohet se këtë vit fillimi i Ramazanit përkon me kohën e Kreshmëve për të krishterët, një periudhë pendese, lutjeje dhe ripërtëritjeje shpirtërore. Sipas Arqipeshkvisë, ky përkim i dy kohëve të shenjta fton të dy komunitetet drejt reflektimit, vetëpërmbajtjes dhe kthimit të zemrës drejt Zotit.

Gjithashtu, nënvizohet rëndësia e lutjes për paqe, për të mirën e qytetit, për familjet, të rinjtë dhe për të gjithë ata që përballen me vështirësi. Mesazhi vë në pah se solidariteti, mëshira dhe respekti për njëri-tjetrin marrin një kuptim edhe më të thellë në këtë kohë të shenjtë.

Në përfundim, Arqipeshkvia shpreh dëshirën që Ramazani të jetë një kohë drite, bekimi dhe forcimi të harmonisë mes bijve dhe bijave të vendit.