Galeria “Oda” në Shkodër hapi dyert për ekspozitën personale të artistit Arianit Lakna, me titullin simbolik “Zgjohu me gjela”. Kjo është ekspozita e parë personale e autorit, i cili ka zgjedhur pikërisht Shkodrën për ta ndarë me publikun këtë kapitull të rëndësishëm të krijimtarisë së tij.

Lakna, me origjinë nga Kamenica, sjell në këtë ekspozitë rreth 20 piktura, ku përmes figuracionit të stilizuar dhe kontrasteve të forta vizuale përcjell mesazhin e dinamikës dhe ritmit që shoqëron nisjen e një dite të re. Vetë artisti thekson se gjeli nuk është thjesht një simbol tradicional, por një metaforë e zgjimit, energjisë dhe ndërgjegjësimit.

Formimi i tij artistik lidhet ngushtë me pikturën, pasi studimet i ka nisur që në shkollën e mesme të artit në Gjilan dhe më pas i ka vijuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë për skulpturë. Kjo bazë akademike reflektohet në qartësinë kompozicionale dhe konceptin e strukturuar të veprave të ekspozuara.

Vlerësim për punimet e autorit jep edhe piktorja shkodrane Ikbal Kalaja, e cila ndalet te gjuha e pastër artistike dhe forca shprehëse që mbartin veprat e Laknës, duke e cilësuar këtë ekspozitë si një prurje interesante për skenën artistike të qytetit.

Ekspozita në Galerinë “Oda” pasuron më tej kalendarin kulturor të Shkodrës, duke e kthyer hapësirën në një pikëtakim mes artistëve nga trojet shqiptare dhe publikut artdashës.