Gjashtë shtetas nga Elbasani janë proceduar penalisht pas incidenteve të ndodhura në përfundim të ndeshjes së futbollit mes “KF Vllaznia” dhe “AF Elbasani”, e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori për shtetasit S. M., 23 vjeç; K. K., 40 vjeç; L. P., 37 vjeç; E. S., 24 vjeç; E. Q., 23 vjeç dhe D. D., 32 vjeç, banues në Elbasan. Ata dyshohet se, më datë 15.02.2026, në përfundim të takimit, kanë shkatërruar disa ndenjëse të stadiumit dhe i kanë hedhur në fushën e lojës.

Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të paligjshme në ambientet e impiantit sportiv.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.