Prefektura e Qarkut Shkodër ka informuar mëngjesin e 17 shkurtit, ora 07:30, mbi situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe prurjet e shtuara në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH), pas monitorimit të vazhdueshëm të situatës, ka nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, me qëllim administrimin e prurjeve.

Që prej pasdites së djeshme është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës. Në zonën e Obotit është evidentuar prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente. Aksi lidhës i fshatit me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, çka vështirëson qarkullimin e mjeteve të vogla.

Në terren ndodhen dy mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë emergjente.

Sa i përket akseve malore, aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore, ndërsa Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës. Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ndërsa qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.

Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.

Strukturat e mbrojtjes civile dhe institucionet vendore vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim, duke garantuar koordinim të plotë për sigurinë e qytetarëve.