Pas kërkesës së prerë të Kryetarit të Bashkisë Shkodër për rikthimin në gjendje optimale të segmenteve rrugore të dëmtuara gjatë ndërhyrjeve në rrjet, ka nisur këtë të hënë puna në terren për riparimin e tyre.

Dëmtimet janë shkaktuar gjatë hapjes së rrugëve nga ndërmarrja e ujësjellësit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), në kuadër të investimeve në rrjetin energjetik dhe infrastrukturën përkatëse.

Shefi i Degës Teknike pranë OSHEE në Shkodër, Gjon Bala, bëri të ditur se procesi i riparimeve ka nisur këtë të hënë dhe pritet të përmbyllet brenda tre ditësh në të gjitha segmentet ku janë konstatuar dëmtime si pasojë e ndërhyrjeve të kryera.

Në një deklaratë për mediat, Bala theksoi se ekipet janë angazhuar për të rikthyer standardin e duhur të rrugëve, në mënyrë që investimet në rrjet të mos lënë pasoja në infrastrukturën urbane dhe në qarkullimin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, Bashkia Shkodër ka theksuar se çdo investim nëntokësor duhet të shoqërohet me rikthimin e plotë të sipërfaqes rrugore, duke e konsideruar këtë një detyrim ligjor dhe një standard të domosdoshëm bashkëpunimi institucional.