Një punë hulumtuese që ka zgjatur gati dy dekada ka marrë formë në dy vëllime librash kushtuar krahinës së Shllakut. Autori i tyre, Bep Pjetri, me rrënjë fisnore nga kjo trevë, ka ndërmarrë një mision personal për të dokumentuar historinë, traditat dhe figurat e saj ndër breza.
Dy vëllimet e botuara deri më tani, sipas Pjetrit, nuk arrijnë ta përmbushin plotësisht historinë e pasur të kësaj treve. Për këtë arsye, ai është duke punuar për një vëllim të tretë, që pritet të plotësojë më tej mozaikun historik të Shllakut.
Libri i tij konsiderohet nga vetë autori si i pari botim historik i këtij lloji për këtë krahinë. Mungesa e mbështetjes financiare mbetet një pengesë edhe për një seri botimesh të tjera që presin dritën jeshile për t’u bërë pjesë e bibliotekave shqiptare.
Përmes librave të tij, Bep Pjetri synon që kjo kujtesë historike të mos humbasë, por të trashëgohet ndër breza.
