Në përvjetorin e lindjes së tij, përkujtohet figura e Imzot Ernest Çobës, një prej personaliteteve më të rëndësishme të Kishës Katolike Shqiptare dhe një ndër klerikët që përjetoi persekutimin e ashpër të regjimit komunist.

Imzot Ernest Çoba (1913-1980) drejtoi Kishën Katolike Shqiptare në një nga periudhat më të vështira të saj, gjatë viteve 1957-1967. Ai përjetoi një përndjekje të gjatë nga regjimi, ndërsa në vitin 1976 u arrestua dhe më pas u dënua me 25 vite heqje lirie, me akuza për “tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë”.

Sipas të dhënave arkivore, që nga fundi i viteve ’60 ndaj tij kishte nisur një survejim i vazhdueshëm. Deri në vitin 1975, në drejtim të Çobës kishin raportuar dhjetëra bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Gjykimi ndaj tij dhe disa klerikëve të tjerë u zhvillua në Gjykatën e Rrethit Shkodër në prill të vitit 1977, ku u shpall fajtor dhe u dënua maksimalisht.

Së bashku me të u dënuan edhe Dom Lec Sahatçija me 25 vite burg, Dom Zef Hardhija me 15 vite burg dhe Dom Kolë Toni me 13 vite burgim.

Në momentin e gjyqit, Imzot Çoba ishte 63 vjeç dhe gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar. Ai nuk arriti ta përfundonte dënimin. Më 8 janar 1980 ndërroi jetë në spitalin e burgut në Tiranë.

Figura e tij mbetet një simbol i qëndresës së klerit katolik shqiptar përballë represionit të diktaturës komuniste.