Data 16 shkurt shënon 107-vjetorin e themelimit të klubit “Vllaznia”, një prej emrave më të mëdhenj të sportit shqiptar, që ndër vite i ka dhënë tonin jo vetëm futbollit, por edhe disiplinave të tjera sportive. Në prag të kryendeshjes Vllaznia–Elbasani, klubi organizoi një ceremoni simbolike në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nderuar këtë moment historik.

Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, theksoi se dhurata më e bukur për tifozërinë kuqeblu do të ishte shpallja kampion në fund të sezonit, një objektiv që këtë vit duket më pranë se kurrë. Në ceremoni morën pjesë figura të njohura nga sporti, arti dhe kultura, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

107-vjetori e gjen Vllazninë në krye të renditjes së “Abissnet Superiore”, si pretendente kryesore për të fituar titullin e dhjetë kampion, duke i dhënë edhe më shumë simbolikë këtij përvjetori të veçantë për historinë kuqeblu.