Spektakli i orëve të fundit të Karnavaleve të Shkodrës vijoi në rrugët e qytetit me paradën e butaforive dhe çifteve të veshur me kostume dhe maska veneciane. Nën ritmet e muzikës që elektrizuan atmosferën, qytetarët sfiduan reshjet e shiut, të cilat nuk u ndalën për asnjë moment, por që nuk e zbehën entuziazmin e festës.
Programi kulmoi me koncertin e “Tre muskëtierëve” shkodranë, Frederik Ndoci, Bujar Qamili dhe Eduard Jubani, në skenën e Teatrit “Migjeni”. Repertori i tyre solli emocione dhe nostalgji, duke bashkuar breza në një mbrëmje festive.
Megjithatë, reshjet e dendura penguan zhvillimin e paradës tradicionale të “Karvan Karnevalit”, një nga momentet më të shumëpritura të festimeve.
Karnavalet u përmbyllën me ritin tradicional të djegies së dordolecit, simbol i së keqes dhe fenomeneve negative të shoqërisë, duke shënuar kështu fundin e një jave plot ngjyra, muzikë dhe kreativitet. Koncertet në shesh, maskat shumëngjyrëshe dhe video mapping ishin disa nga elementët që karakterizuan këtë festë tradicionale, e cila në Shkodër festohet që prej vitit 1861.
