Vllaznia dhe Elbasani përplasen këtë të diel në orën 19:30 në stadiumin “Loro Boriçi”, në një duel që konsiderohet kryendeshja e javës së 24 të “Abissnet Superiore”. Kuqeblutë kryesojnë renditjen me tre pikë më shumë se rivalët e drejtpërdrejtë, ndaj kjo sfidë merr peshë të veçantë në garën për titull.

Në konferencën për mediat para ndeshjes, mbrojtësi Erdenis Gurishta vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke theksuar se Elbasani është një skuadër e fortë dhe me kualitete në çdo repart.

Ndërkohë, kapiteni Bekim Balaj u shpreh se kjo përballje i gjen të dyja skuadrat në kushte të barabarta, por theksoi se Vllaznia do të japë maksimumin për të ruajtur vendin e parë dhe për të bërë një hap të rëndësishëm drejt objektivit madhor.

Me tre pikë diferencë në krye, kuqeblutë synojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të konsoliduar pozitat në renditje. Java e 24-t sjell edhe sfidat Vora–Egnatia, Teuta–Bylis, Dinamo–Flamurtari dhe Partizani–Tirana.