Parada unike e karrove, dritave dhe personazheve “pushtoi” rrugët e qytetit në kuadër të festimeve për “Karnevalet e Shkodrës”, duke sjellë një atmosferë të gëzimi dhe ngjyrash. Qytetarë të shumtë, fëmijë e të rritur, ndoqën nga afër spektaklin që i dha qytetit ritmin dhe energjinë e festës.
Në të njëjtën mbrëmje, fasada e Bashkisë Shkodër mori jetë përmes efekteve speciale të kuruara në çdo detaj regjisorial. Loja e dritave dhe projeksioneve e veshi godinën me fantazi, duke dhuruar spektakël për çdo të pranishëm.
“Vij nga Kina, e dashuroj këtë atmosferë por edhe njerëzit këtu. Ndihem shumë e lumtur që kam zgjedhur të jem në këtë mjedis festiv,” u shpreh një turiste nga Kina.
Mbrëmja vijoi me repertorin shkodran të këngëtarit Bert Naraçi, i cili solli këngë të dashura për publikun, duke e mbajtur gjallë festën deri në orët e vona.
Karnevalet e Shkodrës do të kulmojnë të dielën me diegien tradicionale të dordolecit, një ritual simbolik që mbyll festimet dhe i jep qytetit një tjetër kujtim të paharruar.
