Sfidat dhe mundësitë që ofron përdorimi i Inteligjencës Artificiale në financë bëri bashkë studentë dhe pedagogë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe akademikë të diasporës.

Thelbi i këtij takimi ishte shkëmbimi i përvojave akademike mes pedagogëve të diasporës dhe stafit të Universitetit të Shkodrës, duke nxitur kërkimin shkencor dhe idetë inovative mes studentëve.

Profesoresha Valentina Ndou nga Universiteti i Salentos në Itali ndau përvojën e saj si pjesë e projektit me studentët dhe pedagogët.

Gjatë aktivitetit, studentët prezantuan projektet e tyre, të përgatitura gjatë semestrit, ku ndërthurën financën me teknologjinë. Projektet u vlerësuan nga një juri e përbërë nga përfaqësues të universitetit dhe sektorit bankar në Shkodër.

Ky takim tregoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe diasporës për të forcuar kërkimin shkencor dhe për të përgatitur studentët me njohuri më bashkëkohore.