Bashkia Shkodër ka shpallur thirrjen e hapur për “Mbështetje për ekipet sportive Vllaznia”, një nismë që synon forcimin e sportit profesionist dhe rritjen e cilësisë së përfaqësimit në kampionatet kombëtare.

Qëllimi i kësaj thirrjeje është promovimi dhe zhvillimi i sporteve në nivel lokal, rritja e pjesëmarrjes së të rinjve dhe komunitetit në aktivitete sportive, si dhe përforcimi i ekipeve zyrtare të Vllaznisë në disiplina të ndryshme.

Fondi total i vënë në dispozicion është 44 milionë lekë, i ndarë sipas disiplinave sportive. Mbështetja më e lartë financiare parashikohet për basketbollin dhe volejbollin me nga 10.6 milionë lekë secila, ndjekur nga boksi me 6 milionë lekë dhe atletika me 5.5 milionë lekë. Fonde janë parashikuar gjithashtu për çiklizmin, futbollin e femrave, futsalin, gjimnastikën, mundjen, notin, peshëngritjen, ping-pongun, shahun, taekwondo-n dhe xhudon.

Të drejtën e aplikimit e kanë shoqatat sportive të regjistruara dhe të anëtarësuara në federatat përkatëse, që marrin pjesë në kampionatet e kategorisë më të lartë. Subjektet aplikues nuk duhet të kenë detyrime të papaguara ndaj Bashkisë Shkodër dhe nuk duhet të jenë në konflikt interesi.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 27 shkurt 2026, ndërsa shpallja e fituesve do të bëhet deri më 2 mars 2026. Dokumentacioni duhet të paraqitet pranë Sekretarisë/Protokollit të Bashkisë Shkodër, sipas formularit tip të përcaktuar në thirrje.

Përmes kësaj nisme, Bashkia Shkodër synon të mbështesë ekipet përfaqësuese të qytetit dhe të forcojë traditën sportive të Vllaznisë në arenën kombëtare.