Të rinjtë e gjimnazeve të Shkodrës janë bërë bashkë në fushë në kuadër të kampionatit “Youth Cup Shkodra”, duke sjellë energji, pasion dhe frymë të fortë gare.
Ky kampionat i shkollave të mesme, një nismë e Këshillit Rinor Vendor, i mbështetur nga Bashkia Shkodër dhe Zyra Vendore e Arsimit, synon të promovojë sportin si një nga urat më të rëndësishme të bashkimit mes të rinjve.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve sportive për formimin dhe përfshirjen e brezit të ri.
Edhe Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit, Brisela Kadia, theksoi rolin e shkollës në nxitjen e aktiviteteve që forcojnë bashkëpunimin dhe frymën e ekipit mes nxënësve.
Më shumë se një garë sportive, “Youth Cup Shkodra” përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë tek të rinjtë në promovimin e fair-play-it, frymës së ekipit dhe kulturës sportive, që historikisht ka qenë pjesë e identitetit të qytetit.
Aktiviteti u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë, emocione pozitive dhe një atmosferë që reflektonte jo vetëm konkurrencën, por edhe miqësinë dhe bashkëpunimin mes nxënësve.
“Youth Cup Shkodra” vjen si një shembull i angazhimit rinor dhe i rolit që institucionet lokale mund të luajnë në forcimin e komunitetit dhe promovimin e një stili jetese aktive për brezin e ri.
