Vllaznia po kalon një moment të artë në këtë fazë të sezonit, duke regjistruar tetë fitore radhazi mes kampionatit dhe Kupës. Një seri rezultatesh pozitive që ka rikthyer entuziazmin në kampin kuqeblu dhe ka forcuar bindjen se objektivi madhor, titulli kampion, është më pranë se kurrë.

Për këtë formë të skuadrës flet edhe një nga figurat më të spikatura të historisë së klubit, Rauf Çanga, pjesë e Vllaznisë së artë të viteve ’70. Sot, ai sheh te kjo Vllazni elementët e një skuadre që bind me lojë dhe karakter.

Në prag të 107-vjetorit të themelimit të klubit, Çanga ndalet edhe te sfida më e veçantë që ka zhvilluar me fanellën kuqeblu, duke rikthyer emocione dhe kujtime nga një epokë e lavdishme për futbollin shkodran.

Klubi Vllaznia do të organizojë një ceremoni të veçantë për 107-vjetorin e themelimit, këtë të diel në orën 18:30, pak para nisjes së duelit Vllaznia–Elbasani, një tjetër ndeshje ku kuqeblutë do të kërkojnë të zgjasin serinë pozitive dhe të afrohen edhe më shumë me objektivin e madh të sezonit.