Një hap i shumëpritur dhe simbolik është bërë realitet në impiantin kryesor sportiv të Shkodrës. Pas 10 vitesh nga ndërtimi i stadiumit, emri “Loro Boriçi” është vendosur në hyrjen kryesore, duke i dhënë më në fund identitetin e plotë shtëpisë së futbollit kuqeblu.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ishte i pranishëm gjatë procesit të vendosjes së emrit, duke theksuar se ky veprim vjen pas një sërë ndërhyrjesh të realizuara në stadium dhe në ambiente të tjera sportive, si pjesë e vëmendjes së shtuar ndaj infrastrukturës sportive në qytet.

Sipas kryebashkiakut, ky moment simbolik duhet të shërbejë edhe si një ogur i mirë për Vllazninë në këtë sezon, me shpresën për shpalljen kampione në vitin e 107-të të themelimit të klubit.

Në kuadër të frymës festive të 107-vjetorit të Vllaznisë, Bashkia ka bërë thirrje për tifozët dhe komunitetin sportiv që të propozojnë emrat e katër figurave të mëdha të futbollit shkodran për emërtimin e tribunave të stadiumit. Propozimet pritet t’i paraqiten Këshillit Bashkiak për miratim në ditët në vijim.

Një gjest simbolik, por me peshë historike, që rikthen në qendër vlerësimin për figurat që kanë shkruar historinë e sportit në Shkodër.