Teatri “Migjeni” çeli dyert për komedinë satirike “24 orë nga jeta e një votuesi”, një vepër që përmes humorit të mprehtë dhe ironisë godet realitetin e përditshëm të shoqërisë sonë. Përmes situatave komike dhe dialogjeve të goditura, shfaqja sjell në qendër figurën e votuesit shqiptar, duke e vendosur atë përballë realitetit politik dhe social.

Në skenë interpretuan aktorët Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Hoxhaj, të shoqëruar nga tre muzikantë, duke krijuar një atmosferë dinamike dhe ritmike.

Vepra u realizua nën regjinë e Driada Dervishit, bazuar në motive të Naun Shundit, me tekstin “E të tjera, e të tjera” nga Teodor Keko dhe muzikë të kompozuar nga Aulon Naçi. 

Salla e mbushur me spektatorë dëshmoi interesin për këtë shfaqje, që ndërthur humorin me kritikën shoqërore, duke sjellë një mbrëmje plot emocione, të qeshura dhe reflektim në Teatrin “Migjeni”.