Ka nisur këtë të enjtë zbatimi i vendimit për kufizimin e orarit të qarkullimit të automjeteve në zonën e Zdrales, duke e kthyer këtë hapësirë në një zonë të dedikuar për këmbësorët në orare të përcaktuara.

Vendimi, i paralajmëruar më herët nga Kryebashkiaku Benet Beci, erdhi pas konsultimeve me banorët dhe përfaqësuesit e bizneseve, në një përpjekje për t’i dhënë fund lëvizjes kaotike dhe bllokimeve të shpeshta që karakterizonin zonën.

Zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, theksoi se ndërhyrja synon vendosjen e rregullit dhe garantimin e një bashkëjetese më të sigurt urbane.

Qytetarët dhe tregtarët e zonës e konsiderojnë kufizimin si një masë të nevojshme, duke nënvizuar se qarkullimi i pakontrolluar i automjeteve kishte krijuar vështirësi si për blerësit, ashtu edhe për aktivitetin tregtar.

Zona e Zdrales, e transformuar falë investimit të qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, shihet tashmë si një hapësirë me potencial të lartë urban dhe tregtar. Monitorimi i zbatimit të vendimit do të vijojë nga strukturat përkatëse, me qëllim funksionimin normal të zonës dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë përdoruesit.