Banorët e zonës së Dukagjinit kanë vlerësuar ndërhyrjen e realizuar në aksin rrugor Ura e Shtrenjtë–Prekal, pas dëmtimeve të krijuara në këtë segment si pasojë e kushteve atmosferike dhe amortizimit të terrenit.

Rregullimi i pjesës së shembur të rrugës dhe stabilizimi i zonës problematike kanë bërë të mundur rikthimin e qarkullimit normal në një prej akseve më të rëndësishme që lidh zonat malore me qytetin e Shkodrës.

Sipas tyre, ndërhyrja ka shmangur vështirësitë e mëparshme në qarkullim, duke garantuar siguri më të madhe si për drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe për këmbësorët.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se monitorimi i situatës do të vijojë, për të parandaluar problematika të ngjashme në të ardhmen dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e këtij segmenti rrugor.