Shfaqjet me performanca artistike nga nxënësit e shkollave publike dhe jopublike të Shkodrës po vijojnë në kuadër të festimeve të “Karnevaleve të Shkodrës”, duke sjellë atmosferë festive në zonën muzeale të qytetit. Çdo ditë, të rinjtë nën kujdesin e QKF “Kujtim Alija” po ngjiten në skenë për të shpalosur talentin dhe pasionin e tyre për artin.
Drejtuesja e QKF-së, Orjeta Kelaj, thekson rëndësinë që kanë këto aktivitete në promovimin e talenteve të reja dhe në përfshirjen e fëmijëve e të rinjve në jetën kulturore të qytetit.
Mes interpretuesve spikat edhe Anamaria Shala, e cila e sheh këtë hapësirë si një mundësi të vyer për të shprehur veten përmes muzikës dhe për të ndarë emocionet me publikun.
“Karnevalet e Shkodrës” do të përmbyllen të dielën me ritin tradicional të djegies së dordolecit në qendër të qytetit, duke shënuar edhe kulmin e festimeve shumëngjyrëshe.
