Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” shënon një përvjetor të dyfishtë simbolik: 200 vjet nga shfaqja e fotografisë dhe 10 vjet nga hapja e tij për publikun. Përmes një shkrimi përkujtimor, institucioni e cilëson këtë moment jo thjesht si një akt formal, por si reflektim mbi rolin e fotografisë si formë dijeje dhe mbi muzeun si hapësirë kritike që ndërmjetëson marrëdhënien mes kujtesës, historisë dhe së tashmes.
Muzeu “Marubi” u themelua me synimin për të ruajtur, studiuar dhe aktivizuar arkivin fotografik të Dinastisë Marubi dhe fotografëve të tjerë shkodranë, një pasuri që dokumenton transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të vendit. Në themel të kësaj trashëgimie qëndron Pietro Marubbi, i cili solli fotografinë në Shqipëri si një mënyrë të re të të parit dhe të të kuptuarit të realitetit.
Hapja e muzeut shënoi kalimin nga arkivi i mbyllur drejt një institucioni të hapur dhe interpretues. I konceptuar nga studioja Casanova + Hernandez dhe i vendosur në ndërtesën historike të projektuar nga Kolë Idromeno, muzeu është kthyer në një organizëm të gjallë kulturor që dialogon me qytetin dhe hapësirën publike, duke u pozicionuar si një pikë referimi në peizazhin evropian të muzeve të fotografisë.
Gjatë dekadës së parë, “Marubi” ka kontribuar në riformulimin e mënyrës se si fotografia lexohet dhe kuptohet në Shqipëri, përmes ekspozitave kuratoriale, programeve edukative, botimeve dhe kërkimit shkencor. Në vitin 2017 muzeu u përzgjodh finalist për çmimin “European Museum of the Year Award”, ndërsa në vitin 2025 arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit u përfshi në programin “Memory of the World” të UNESCO-s, duke marrë vlerësim si trashëgimi dokumentare me rëndësi universale.
Me moton “Një muze mund ta ndryshojë shoqërinë”, Muzeu “Marubi” synon të vendosë imazhin fotografik në qendër të dialogut kulturor dhe shoqëror, duke ruajtur dhe riinterpretuar trashëgiminë me integritet shkencor dhe vizion bashkëkohor.
Institucioni ka bërë të ditur se ky është shkrimi i parë i një cikli publikimesh përkujtimore, që do të rikthejnë momente kyçe nga historia e muzeut dhe historia botërore e fotografisë.
