Kristi Shkodra është një nga të rinjtë e shumtë që kanë provuar emigrimin, por që e kanë rigjetur veten duke u kthyer në vendlindje. 34-vjeçari nga Shkodra prej vitesh i është përkushtuar pikturës, një pasion që e ka shoqëruar që në fëmijëri dhe që sot është kthyer në mënyrë jetese.

Kristi ka nisur të pikturojë që në moshën 10-vjeçare, ndërsa dashuria për artin i është trashëguar nga i ati, Aleksandër Shkodra. Hapat e parë seriozë në pikturë i ka hedhur me veprën “Ura e Mesit”, të cilën e konsideron si punimin e tij të parë “profesionist”.

Aktualisht, ai ndjek vitin e tretë të studimeve në degën Pikturë-Grafikë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, duke e thelluar më tej formimin e tij artistik dhe teknik.

Për disa vite, Kristi ka jetuar dhe punuar në emigracion, ku ka tentuar ta lërë pas artin, por piktura duket se e ka rikthyer gjithmonë te rrënjët e tij. Shkodra mbetet burimi kryesor i frymëzimit për të me motivet, dritën dhe historinë që qyteti ofron.

Një moment i veçantë në rrugëtimin e tij artistik është edhe takimi me kardinalin shqiptar, Dom Ernest Troshani, të cilit Kristi i ka dhuruar një nga veprat e tij, një përjetim që ai e ndan me emocion në këtë rrëfim.

Kristi kalon shumë orë në atelienë e tij, duke punuar me përkushtim dhe pasion, ndërsa vëren se interesimi për pikturën dhe veprat artistike po rritet gjithnjë e më shumë në Shkodër.