Kanë nisur këtë të hënë aktivitetet e Karnevaleve në Shkodër, të cilat do të shtrihen përgjatë gjithë javës me programe të ndryshme kulturore dhe argëtuese. Dita e parë është fokusuar kryesisht te aktivitetet për fëmijë, me performanca të thjeshta artistike dhe lojëra argëtuese në ambiente të hapura dhe të mbyllura të qytetit.
Në qendër të Shkodrës janë zhvilluar aktivitete me pjesëmarrjen e grupeve të fëmijëve të veshur me maska dhe kostume karnavalesh, ndërsa prindër dhe qytetarë kanë ndjekur nga afër programin e organizuar. Aktivitetet janë shoqëruar me muzikë dhe animacion për më të vegjlit.
Sipas Bashkisë Shkodër, gjatë ditëve në vijim Karnevalet do të vijojnë me parada, shfaqje artistike dhe programe festive për grupmosha të ndryshme, duke kulmuar në fundjavë me aktivitetet kryesore tradicionale.
Organizatorët bëjnë me dije se programi synon të ruajë traditën e Karnevaleve shkodrane dhe të ofrojë hapësira argëtimi për komunitetin dhe vizitorët.
