Dr. Zyhdi Çoba është një nga figurat më jetëgjata dhe më të respektuara të sportit shkodran. Prej vitit 1968, ai nisi rrugëtimin si mjek i klubit “Vllaznia”, duke shërbyer për të gjitha disiplinat sportive, në një kohë kur pasioni ishte më i fortë se çdo përfitim financiar. Për plot 10 vite, Çoba kujton se ka punuar pa asnjë pagesë, i udhëhequr vetëm nga dashuria për sportin dhe fanellën kuqeblu.
Gjatë dekadave pranë Vllaznisë, ai ka qenë dëshmitar i jo pak situatave dramatike, me dëmtime serioze të sportistëve, madje edhe raste fatale, momente që e kanë vënë përballë përgjegjësive më të rënda të profesionit të mjekut sportiv.
Një episod domethënës i rrëfimit të tij lidhet me presidentin aktual të klubit, Alban Xhaferi, i cili i ka nënshkruar një kontratë pa afat, duke i besuar vijimin e punës edhe pse prej vitesh Çoba ka dalë zyrtarisht në pension.
Për doktor Çobën, mjekësia sportive nuk ka qenë thjesht profesion, por një pasion që i ka dhënë “oksigjen” në përditshmëri. Edhe sot, në moshën 83-vjeçare, ai vijon të jetë pranë Vllaznisë, duke dëshmuar se dashuria për sportin nuk njeh moshë.
