Në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” u zhvillua promovimi i librit “Selami Dani, artist i golave me kokë”, me autor Faik Sadikun, një aktivitet simbolik kushtuar një prej emrave më të mëdhenj të historisë së Vllaznisë.

Mjeshtri 83-vjeçar Selami Dani, u shfaq i emocionuar mes ish-shokëve të skuadrës, drejtuesve të klubit dhe sportdashësve shkodranë, duke përjetuar edhe një nga momentet më prekëse të ceremonisë, dhurimin e fanellës me numrin 10 nga presidenti i KF Vllaznia, z. Alban Xhaferi.

Libri, me 210 faqe, sjell momente të rëndësishme nga karriera e Danit si futbollist dhe trajner, duke evidentuar kontributin e tij të çmuar në futbollin shkodran dhe shqiptar.

Promovimi u kthye në një takim emocionesh, kujtimesh dhe mirënjohjeje, duke riafirmuar vlerën e figurave që kanë ndërtuar historinë e Vllaznisë dhe futbollit shqiptar.